Ministri Blendi Gonxhja duket se ka zgjedhur të ndjekë shembullin e kryeministrit Edi Rama, duke reaguar ashpër ndaj figurave publike që po mbështesin protestat e zhvilluara në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja ka sulmuar tenorin Armando Kllogjeri, i cili ditët e fundit është shfaqur aktiv në protestat qytetare.
Ministri ironizon qëndrimet e artistit dhe rikthen në vëmendje periudhën kur Kllogjeri ishte pjesë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
“Zotëria ishte pjesë e një institucioni si Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, ku paguhej me taksat e shqiptarëve për të kënduar, por e la punën dhe iku në një reality show për të urinuar para kamerave”, shkruan Gonxhja.
Më tej, ministri pretendon se tenori ka kërkuar të rikthehet në Teatrin e Operës pas eksperiencës në televizion, por sipas tij kjo nuk ka ndodhur.
Reagimi i Gonxhes vjen në një kohë kur debatet mes përfaqësuesve të qeverisë dhe figurave publike që mbështesin protestat janë shtuar ndjeshëm, duke nxitur diskutime të shumta në rrjetet sociale.

