“Kush të shan, të do. Kush të rreh, të do. Kush të përdor, të do.” Këto fjali tingëllojnë si batuta të vjetra, por fatkeqësisht po rikthehen sot, të normalizuara, të ripërsëritura dhe të justifikuara si “humor”, “mentalitet” apo edhe si “realitet i marrëdhënieve”.
Nga rrjetet sociale, tek show-t televizive, e deri tek bisedat e përditshme, duket sikur shoqëria jonë po bën një kompromis të rrezikshëm: Po mësohet gradualisht të pranojë dhunën emocionale, ofendimin dhe përdorimin si forma dashurie.
Kjo u reflektua qartë të shtunën, në një televizion kombëtar me shikueshmëri që arrin miliona, ku u artikulua publikisht fraza: “Kush të shan, të do”.
Një fjali që nuk është thjesht e gabuar, por thellësisht e rrezikshme. Sepse kur një mesazh i tillë transmetohet në prime time, ai nuk mbetet opinion personal, ai kthehet në model.
Deklarata e Monika Kryemadhit si opinioniste në Big Brother Vip bëri xhiron e rrjeteve sociale, duke ndezur reagime të forta dhe duke vënë në qendër të kritikës opinionisten. Dhe me të drejtë.
Sepse dhuna, ofendimi dhe denigrimi nuk janë kurrë shenja dashurie. Janë shenja kontrolli, pasigurie dhe mungese respekti. Problemi nuk qëndron vetëm tek një fjali. Problemi është tek normalizimi i saj.
Kur një vajzë rritet duke dëgjuar se sharja është dashuri, se xhelozia është kujdes, se dhuna është pasion, ajo mëson të justifikojë abuzimin dhe të dyshojë tek vetja, jo tek agresori. Media ka një përgjegjësi të madhe në këtë proces. Ajo nuk është thjesht pasqyrë e shoqërisë, por edhe formësuese e saj.
Çdo mesazh i transmetuar, sidomos nga figura publike, ka peshë. Dhe kur kjo peshë përdoret për të relativizuar dhunën, pasojat janë reale dhe afatgjata.
Dashuria nuk shan. Dashuria nuk rreh. Dashuria nuk përdor. Dashuria respekton, mbron dhe fuqizon. Çdo gjë tjetër është thjesht dhunë e kamufluar me fjalë të bukura.
Dhe sa më shpejt ta pranojmë këtë si shoqëri, aq më pak vajza do të rriten duke menduar se dhimbja është çmimi që duhet paguar për t’u dashur./ZoneVip