Policia e Fierit ka arrestuar Ardit Keron, ish-drejtor financiar në kompaninë “Bankers Petroleum Albania”, nën dyshimin për përfshirje në një skemë të përmasave të gjera të evazionit fiskal dhe pastrimit të parave.
Arrestimi është rezultat i një hetimi të gjatë nga Prokuroria e Fierit, e cila e identifikon Keron si një nga personat kyç në menaxhimin financiar të praktikave të dyshuara të paligjshme brenda kompanisë.
Sipas burimeve nga organet hetimore, Kero akuzohet se ka luajtur rol qendror në manipulimin e shpenzimeve dhe përdorimin e faturave fiktive, në mënyrë që të shmangeshin detyrimet tatimore të kompanisë. Hetimet paraprake vlerësojnë se përmes këtyre praktikave është dëmtuar ndjeshëm buxheti i shtetit, ndërkohë që të ardhurat e kompanisë nga shitja e naftës në zonën Patos-Marinzë arrijnë në rreth 4 miliardë euro në këto dy dekada.
Autoritetet dyshojnë se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave është përfituar në mënyrë të paligjshme dhe më pas është përdorur për investime në prona të paluajtshme dhe shpenzime luksi, brenda dhe jashtë vendit.