Gjykata e Apelit ka liruar ditën e sotme nga burgu ish-Kryebashkiakun e Kuksit Safet Gjicin. Mësohet se Gjici është liruar nga burgu për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore që kishte.
Mësohet se Gjykata e Apelit te Juridiksionit të Përgjithshëm vendosi ndryshimin e vendimit, duke pranuar kërkesën për zbutje të masës së sigurisë. Ndaj Gjicit u vendos masa e sigurisë arrest shtëpie, duke bërë që pjesën e mbetur të dënimit (8 muaj) Gjici ta kalojë në banesën e tij.
Safet Gjici u dënua më datë 7 shkurt të 2024 viti nga shkalla e parë me 3 vite burg, në aplikim të gjykimit të shkurtuar në 2 vite, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Gjici u vu në pranga fillimisht i akuzuar për “korrupsion pasiv”, pasi dyshohet se ka favorizuar Alma Kaçin, duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.