Sot duhet të ishte një ditë e zakonshme seance gjyqësore në Gjykatën Administrative. Por jo. Erion Veliaj arriti edhe njëherë që seancën, të cilën e nisi vetë, ta kthejë në një situatë qesharake dhe në një show mediatik.
Veliaj ka qenë gjithmonë i zoti për të bërë show të tilla mediatike, për të hequr vëmendjen nga çështja kryesore që është tani, ajo e akuzave me të cilat ai po përballet në GJKKO për korrupsion dhe pabarazi në tendera. Kujtojmë këtu ditën e arrestimit të tij, për të cilën shpërndau në mediat e blera nga vetë ai një kasetë të gatshme, ku shfaqej vetëm në hapjen e një kopshti për fëmijë në një zonë të Tiranës.
Por show i sotëm ia kalon edhe një skenari hollywoodian tipik “Far West”. Artistë që shkuan në gjykatë para Veliajt për ta pritur aty, aktorë që e puthnin në ballë sikur po shkonte në luftë, këngëtarë që i puthnin dorën sikur e kishin nënën e tyre, njerëz që përloteshin për të marrë pak protagonizëm nga mediat. Kishte edhe aktorë që ishin të gatshëm të bënin burgun e Veliajt në vend të tij.
Paradoksale, në fakt. Si mundet që artistët, me artin e tyre, në vend që t’i dalin kundër korrupsionit të pushtetarëve dhe të mbrojnë popullin, janë të gatshëm t’i dalin për zot korrupsionit dhe të bëhen mish për top për një kryebashkiak të pandehur me disa akuza mbi kurriz? Minimumi që artistët në këtë vend mund të bënin ishte distancimi, të paktën deri në momentin e vendimit të gjykatës për akuzat që rëndojnë mbi të.
Lind pyetja: Nëse Veliaj del fajtor nga Gjykata e Posaçme për akuzat që ka mbi shpinë, a do të jetë i gatshëm Robert Ndrenika të kërkojë të bëjë burgun në vend të Veliajt? Këta artistë që shkuan sot, nëse Veliaj shpallet fajtor, si mund t’ua shpjegojnë fansave dhe dashamirësve të tyre që mbështetën një politikan që i ka vjedhur?
Kudo në botë, në raste të tilla, artistët janë të parët që distancohen nga politikanë me akuza, sado të vogla që mund të jenë. Këtu në Shqipëri është komplet ndryshe, janë artistët që mbrojnë korrupsionin dhe tentojnë tu hedhin hi syve qytetarëve.
Por çfarë mund të presësh nga një shoqëri ku artistët janë të gatshëm të përdoren për interesa personale të politikanëve? Në momentin që artisti shkel mbi vlerat që arti i tij përcjell, vjen një shoqëri që nuk ka më besim dhe guxim të reagojë. Nëse një shoqëri nuk reagon ndaj padrejtësive që i bëhen, ai shtet kthehet në fantazmë dhe ata që banojnë në të mbeten thjesht frymorë.