Agjencia Shtetërore e Kadastrës dega Kamëz-Vorë ka reaguar këtë të enjte në lidhje me incidentin e regjistruar ditën e sotme në zyrat e ASHK-së, ku u raportua se një person dhe dy roje kanë penguar në ushtrimin e detyrës gazetaren Domenika Bajraktari dhe të kameramanin që e shoqëronte.

 

Përmes një reagimi, ASHK bën me dije distancohet nga çdo akt dhune që prek përfaqësues të medias ndërsa sqaron se personi i arrestuar me iniciale F. M., 67 vjeç, i cili dyshohet se ka dhunuar gazetaren, nuk është pjesë e stafit të Kadastrës.

 

Më tej Agjencia Shtetërore e Kadastrës sqaron se për dy rojet e istitucionit, Q. L., 64 vjeç dhe H. B., 52 vjeç, ka nisur procedim penal pasi dyshohet se kanë dëmtuar kamerën e filmimit dhe kanë penguar median në ushtrimin e detyrës, ASHK tregon se rasti është në verifikim, dhe nëse konstatohet ndonjë shkelje ligjore, do të merren masa të menjëhershme.

 

ASHK e mbyll reagimin e saj duke u shprehur se puna e gazetarëve është një element i rëndësishëm për informimin e qytetarëve dhe ruajtjen e transparencës institucionale.

 

Reagimi i plotë i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës:

Në lidhje me lajmet e publikuara gjatë ditës së sotme për ngjarjen e ndodhur pranë Drejtorisë Vendore Kamez-Vorë, sqarojmë se:

Agjencia Shtetërore e Kadastrës  dënon dhe distancohet nga çdo akt dhune ndaj përfaqësuesve të medias gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.

Në lidhje me rastin e raportuar, sqarojmë se personi që ka kryer veprimin ndaj gazetares nuk është punonjës i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Ndërkohë jemi duke rishikuar të gjitha pamjet filmike të administruara nga kamerat e sigurisë dhe, nëse konstatohet shkelje nga rojet private, do të ndërmerren menjëherë hapat ligjorë dhe kontraktualë për të mos lejuar përsëritjen e rasteve të tilla.

 

Agjencia Shtetërore e Kadastrës shpreh besimin e plotë tek institucionet ligjzbatuese dhe është e bindur se ato do të kryejnë hetimet dhe do të vendosin drejtësi sipas ligjit.

 

Ne besojmë se puna e gazetarëve është një element i rëndësishëm për informimin e qytetarëve dhe ruajtjen e transparencës institucionale.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës siguron publikun dhe median se do të vazhdojë të garantojë akses, respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë në çdo proces informimi.

Share this:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *